Trajnimi: "Sëmundjet dhe dëmtuesit e prodhimtarisë së specit"

Sot, më 18.10.2019, u mbajt trajnimi i paralajmëruar dhe i shumëpritur nga fermerët, në fshatin Krushë e Madhe. Pas 4 muaj punë në teren kemi arritur të grumbullojmë të dhëna rreth gjendjes së prodhimtarisë së specit. Nga ky hulumtim kemi arritur të identifikojmë sëmundjen Antraknoza, sëmundje kjo e cila ishte shumë e pranishme në prodhimtarinë e specit, e që kishte mundësi të shkatërronte gjysmën e prodhimit.


Ky trajnim u zhvillua nga agronomi, Dr. Sc. Skencer Ramadani, i cili shtjelloi temën “Sëmundjet dhe dëmtuesit e prodhimtarisë së specit”. Për këtë temë u shtjelluan hollësishtë të gjeturat nga hulumtimi në teren dhe për sëmundjet që ishin prezente në prodhimtarinë e specit.


Përveç kësaj, agronomi i shumëçmuar spjegoi edhe për parandalimin e këtyre sëmundjeve që mund të jenë shkatërruese për gjithë prodhimin. Gjithashtu, është bërë edhe testimi, me mjetet adekuate, i ujit të pijshëm dhe ujit me të cilin ujisin fushat këta fermerë, e që rezultoi të ishin të pastër që të dy llojet e ujërave.


Interesimi i fermerëve për zhvillimin e punës së tyre në fushë, u vërtetua edhe sot. Në përfundim të trajnimit të gjithë të pranishmit, afro 50 pjesëmarrës, patën mundësinë që të diskutojnë me njëri-tjetrin lidhur me temën e zhvilluar.


Njëkohësisht, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Fshatit Krushë e Madhe, Z. Selami Hoti, të cilin e falënderojmë për ndihmën që na e ka ofruar.


Këtu nuk mungoi as Drejtori i Kompanisë Regjionale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini Sh.a Gjakovë, Z. Jahja Kadrija, i cili shprehi gatishmerinë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të fermerëve për ujë.