Promovimi i produkteve ushqimore në Panairin "ANUGA"

Kompanitë vendore, si: “Elkos", "Moea”, “Frutex”, “Eurofruti”, “Eurofood”, “Abi & Elif 19”, “Fluidi”, “Devolli Corporation”, “Industria e mishit Calabria”, “Essi”, janë kompani të industrisë së pijeve dhe ushqimit. E veçanta e tyre është se këto përfaqësojnë Kosovën në panairin ANUGA, që mbahet në Këln të Gjermanisë që nga 5 tetori 2019.


Panairi “ANUGA” është panairi më i madh në botë, në të cilin takohen kompanitë e industrisë së pijeve dhe ushqimit nga e gjithë bota. Ky panair vizitohet nga rreth 190,000 vizitor të cilët kanë mundësinë të njihen më së afërmi me produktet më të fundit nga 8,200 ekspozues të produkteve ushqimore në botë.


Krahas faktit që Kosova është vend i vogël, këto kompani janë duke e bërë atë të shkëlqej përtej kufijve të territorit.


Si pjesëmarrës në panairin më të madh në botë, janë duke i promovuar produktet vendore, duke filluar nga pijet e ndryshme të frutave të freskët. Përpunimin e pemëve dhe perimeve, siç janë: ajvar, reçel, bizele, tranguj turshi, speca turshi, keçap, feferona, salcë domatesh, majonez, marmelatë, piper të zi, piper të kuq, etj.


Ky promovim i produkteve ushqimore dhe pijeve nga kompanitë vendore, është një mundësi e mirë për zgjerimin e tregut të tyre, krijimin e kontakteve me konsumatorët dhe bizneset e huaja, si dhe rritjen e eksportit vendor.


I gjithë ky proces do të ndihmoj në njohjen e Kosovës dhe punën e kompanive vendore, pasi që produktet promovohen përballë shteteve tjera, si: Kroacia, Italia, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika, etj.


Panairi në fjalë  do të jetë i hapur deri me datën 9 tetor 2019 në Këln të Gjermanisë, ndërsa shtandi i Kosovës gjendet në Hall nr. 07.1, shtandi nr. C-020g-D021g.